isuv logo

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë e ushtron aktivitetin e tij bazuar në Ligjin Nr. 9863, datë 28.01.2008, “Për ushqimin” i ndryshuar.
 

Lidhur me situatën e krijuar sot, ku dy gazetarë pasi kishin marrë njoftim nga banorë të zonës për shqetësimin që tymi i krematoriumit kishte krijuar, u paraqitën në ambjentet e ISUV, bashkë me disa efektivë të policisë.
Lidhur me këtë situatë, e ndjejmë të nevojshme t’ju sqarojmë se pranë këtij instituti kryhen analiza të ndryshme, të cilat kanë impakt direkt si në shëndetin e njerëzve, ashtu edhe në shëndetin e kafshëve. Mbështetur në normat e biosigurisë, asnjë material i dyshimtë me origjinë shtazore që analizohet nga laboratorët e qendrës së referencës së ISUV, nuk mund të asgjësohet me metoda të tjera, përveçse përmes djegies së tyre në krematorium.
ISUV për djegien e mbetjeve me origjinë shtazore bazohet në LIGJIN Nr.10 463, datë 22.9.2011 “PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE”. Një ligj, i cili është përafruar me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 19 nëntor 2008, “Mbi mbetjet”.
Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë është një ent publik që e ka fillesën e tij në vitin 1928 me laboratorin e parë bakterologjik dhe është ndërtuar pikërisht në këtë zonë jashtë vijës së verdhë, si dhe larg qendrave të banuara. Më tej, në dekadat e fundit, kjo zonë është mbipopulluar dhe rreth territorit institucional janë ndërtuar qendra banimi.
I gjithë procesi i asgjësimit të këtyre mbetjeve, kryhet siç kryhet edhe në institucionet e tjera, siç janë spitalet, duke mos vënë në rrezik shëndetin e njeriut, duke mos përdorur procese ose metoda që mund ta dëmtojnë atë ose mjedisin dhe sidomos duke mos vënë në rrezik ujërat, ajrin, tokën, tokën bujqësore, bimët ose kafshët, duke pasur në konsideratë nenet 6-14 të ligjit ligji nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit” dhe kërkesat e tjera të këtij ligji.
Efektivët e policisë në komunikimin e tyre na theksuan se për asnjë moment procesi i cili po kryhej në krematorium, nuk ishte antiligjor dhe nuk e ngarkonte ISUV me përgjegjësi, pasi ISUV e ushtron aktivitetin e tij brenda territorit të saj dhe brenda cdo akti ligjor dhe nënligjor për zbatim të ligjit.
Teksa i bëjmë thirrje cdo gazetari të interesuar për informacion, të ndjekë rrugën ligjore për informim në lidhje me problematikën, në respekt të cdo rregulli etik dhe profesional, e pa shkelur në mënyrë të hapur Ligjin për të drejtën e informimit, sic edhe parashikohet në kreun e III të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” ku është e përcaktuar se cila është procedura administrative që duhet të ndjeki një subjekt i cili dëshiron të marri një informacion pranë një organi publik, përfshirë këtu edhe gazetarët.


DREJTOR I PERGJITHSHEM
Armand REVELI


Faleminderit