isuv logo

Marrëveshje Bashkëpunimi mes Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ,Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi mori pjesë sot në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit mes Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Marrëveshja u firmos nga Drejtoresha e Përgjithshme e AKVMB, Tana Kika Shtylla, Rektori i Universitetit Fatbardh Sallaku dhe Drejtori i ISUV Armand Reveli.

Ministrja Ekonomi e cilësoi marrëveshjen e sotme si një hap përpara në bashkëpunimin deri më sot me UBT si qendra e vetme e formimit universitar, kërkimit shkencor dhe trajnimit në fushën e bujqësisë dhe mjedisit, mjekësisë veterinare dhe sigurisë ushqimore.

Kjo marrëveshje ka për qëllim bashkëpunimin midis palëve në drejtim të mbështetjes së studentëve të fakulteteve të UBT në mënyrë të përshtatshme për të zhvilluar njohuri të shëndosha dhe aftësi praktike si dhe në projekte kërkimore në fushat respektive të stafit në të dy institucionet.

Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me dy institucionet e linjës së ministrisë së Bujqësisë,  ISUV dhe AKVMB, synohet  shfrytëzimi sa më mirë i kapaciteteve e burimeve të tyre, për zhvillimin e programeve të praktikave profesionale dhe aktiviteve të përbashkëta mes institucioneve.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe Universiteti Bujqësor do të bashkëpunojnë për identifikimin dhe implementimin e prioriteteve në fushat e kërkimit shkencor, ekspertizës, analizave laboratorike, trajnimeve në fushën e shëndetit e mirëqënies së kafshëve, mbrojtes së bimëve, prodhimeve blegtorale e sigurisë së tyre, në rritjen, mbarështimin e kafshëve dhe në akuakulturë, standartet per çertifikimin e prodhimeve blegtorale dhe bimore, në fushën e politikave dhe strategjive të zhvillimit të sektorit të blegtorisë dhe prodhimeve të tjera bujqësore, kualifikimit dhe trajnimit të inspektoriatit veterinar dhe fitosanitar, etj,

Po ashtu, sipas marrëveshjes, punonjës me tituj shkencorë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ISUV,  do të ftohen si lektorë në auditoret e Universitetit Bujqësor të Tiranës për të dhënë leksione në teori apo zhvillim të praktikave laboratorike. Kjo marrëveshje bashkëpunimi do të zgjasë 4 vjet.