isuv logo

STOP ETHET AFRIKANE TË DERRIT.

Bashkimi Evropian (BE) është eksportuesi më i madh në botë i derrave dhe nënprodukteve të tyre, me më shumë se 5 milion ton të eksportuara çdo vit. Për këtë arsye,  klasifikohet si një ndër veprimtaritë më të rëndësishme të sektorit bujqësor. Mbarështimi i derrave zë përqindjen më të madhe në krahasim me sektorët e tjerë të prodhimit të mishit, duke përbërë kështu 8,5% të prodhimit total bujqësor të 27 shteteve të BE-së. Sektori i prodhimit të mishit të derrit zë 35% të prodhimit total të mishit brenda BE-së.

Megjithatë, industria e mbarështimit të derrave po përballet me një kërcënim serioz që mund të shkaktojë dëme ekonomike të konsiderueshme në nivel kombëtar dhe në tërë Evropën: Ethet afrikane të derrave.

Çfarë janë ethet afrikane të derrave?

Ethet afrikane të derrave (ASF) është një sëmundje virale që prek derrat e butë dhe derrat e egër. Ky virus është i padëmshëm për njerëzit, por është zakonisht vdekjeprurës për derrat. Aktualisht, nuk ekziston asnjë vaksinë apo kurë kundër ASF-së dhe mund të duhen disa vite derisa ajo të zhduket.

Në vitet e fundit, janë shtuar vatrat e përhapjeve të ASF-së. 12 shtete Evropiane janë aktualisht të prekura nga kjo sëmundje. Ato janë Bullgaria, Estonia, Gjermania, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Ukraina.

Përhapja e ASF-së në një zonë ose shtet të caktuar mund të cënojë ndjeshëm industrinë e mbarështimit të derrave, pasi sjell kufizime ndaj tregtisë, të cilat çojnë në humbje të mëdha financiare, si dhe në asgjësimin dhe therjen e një numri të madh derrash. 

 

Zbulo, parandalo, raporto

Duke qenë se përhapja e ASF-së mund të ketë pasoja shkatërruese: zbulimi, parandalimi dhe raportimi janë elementet kyçe në frenimin e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

Kjo fushatë ka si synim që të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ofrojë njohuri të përgjithshme rreth ASF-së dhe mënyrës së menaxhimit të saj përmes: parandalimit- si të shmangni kontaminimin dhe të mbroni fermat dhe gjënë e gjallë, zbulimit - si të dalloni shenjat e ASF-së, dhe raportimit - si të veproni në rastet kur dyshohet për raste infektimi.

Në këtë informacion përfshihet: një dokument që tregon arsyen e ndërmarrjes së fushatës, një grafik informues, një fletëpalosje dhe katër postime të gatshme për rrjetet sociale, që mund të përdoren për t'ju dhënë informacione për shenjat e ASF-së, masat që duhen marrë në lidhje me sigurinë dhe për personat e kontaktit për rastet e dyshuara.

Kjo fushatë, e ndërmarrë nga Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore, ka për qëllim të informojë fermerët në lidhje me ASF-në, të mbështesë shtetet në afërsi të rajoneve të prekura dhe të kontribuojë në asgjësimin e sëmundjes në Evropë.

Për më shumë informacione:

Faqja e internetit e fushatës #StopASF: https://efsa.gitlab.io/multimedia/asf/index.html#/al/

Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore: https://www.efsa.europa.eu/